Të shtunën grumbullohet Kombëtarja, Basholli shumë i lumtur për rastin

Të shtunën prej orës 12:00 mblidhet Kombëtarja A e Kosovës në hendboll. Grumbullimi bëhet në Hotel Internacional Prishtina.

Një prej emrave të rinj në Kombëtare është Atdhe Basholli. Beku 24-vjeçar luan në Gjermani, ndërsa ishte në Kombëtaren U21 që luajti në Botërorin në Spanjë. Ai së fundi ishte edhe pjesë e ekipit universitar dhe shfaqi nivel të mirë. Kështu edhe siguroi ftesën në Kombëtaren A.

“Jam shumë i lumtur që jam ftuar në Kombëtare. Kam pritur tri vjet për këtë mundësi. Shpresoj se do ta shfrytëzoj maksimalisht”, ka thënë Basholli. “Kam punuar shumë dhe jam maksimalisht i përgatitur. Do të përfitojë shumë nga kjo përvojë dhe shpresoj të shfaq nivelin e duhur që të ftohem edhe në të ardhmen. Për mua është nder dhe krenari të ftohem në Kombëtaren e vendit tim. Mezi pres të nis me stërvitje”, ka shtuar shtatlarti.

Ky është grumbullimi i parë i Kosovës për kualifikimet e Euro 2024. Të mërkurën Kombëtarja jonë luan në Podgoricë ndaj Malit të Zi, nga ora 18:00. Ndërsa të dielën, më 16 tetor, e pret Slloveninë në Prishtinë. Kosova është në grupin e shtatë, ku bën pjesë edhe Bosnjë-Hercegovina.

Menjëherë të shtunën mbrëma Kombëtarja zhvillon stërvitjen e parë.

Lajme tjera