Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Vdiq Qerkin Morina, ish-hendbollisti dhe trajneri shumë i suksesshëm i KH Drenicës

Të mërkurën ka vdekur Qerkin Morina, personaliteti shumë i rëndësishëm i hendbollit në regjionin e Drenicës dhe hendbollit kosovar në përgjithësi. Morina ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare, ndërsa do të kujtohet gjithnjë për kontributin e madh për zhvillimin e hendbollit në Drenas dhe në përgjithësi në Drenicë.
Ai luajti për Drenicën në vitet 70-ta dhe më pas ishte në gjeneratën e artë të klubit, në vitet 80-ta, kur Drenica garonte me sukses në ligën kosovare-maqedonase. Më pas u shqua edhe si trajner i suksesshëm. E udhëhoqi Drenicën në periudhën e pavarësimit të hendbollit kosovar e po ashtu edhe pas luftës në periudha të ndryshme.
Profesori Qerkin Morina ua ka mësuar hendbollin gjeneratave të tëra, duke dhënë kështu kontribut të pashoq për zhvillimin e sportit tonë.
“Familja kosovare e hendbollit ka mbetur pa një personalitet dhe një kontribuues shumë të rëndësishëm. Falë personaliteteve si profesori Qerkin, hendbolli kosovar ka themelet e forta mbi të cilat vazhdojmë të ndërtojmë. Në emër të komunitetit të hendbollit në vend, i shprehim ngushëllime familjes së nderuar Morina, klubit Drenica dhe gjithë hendbollistëve e hendbolldashësve nga regjioni i Drenicës”, shkruan në telegramin e ngushëllimit të presidentit të FHK-së, Eugen Saraçini për familjen Morina.

Lajme tjera