Vushtrria në gjysmëfinale, Njomza Kelmendi siguron fitoren dramatike

Në foto shihen hendbollistet të gëzuara që fituan ndeshjen.

Vushtrria është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Republikës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. Në çerekfinale, Vushtrria fitoj ndaj Ferizajt pas ekzekutimit të penalltive.

Ndeshja e luajtur të mërkurën mbrëma në palestrën “Jeton Tërstena – Tota” në Vushtrri ishte interesante, cilësore dhe dramatike. Ndërkohë atmosfera ishte e zjarrtë. Palestra ishte e mbushur me shikues.

Vushtrria e Ferizaj janë prej skuadrave kryesore në Superligë dhe me të drejtë është pritur ndeshje e fortë.Ashtu edhe ndodhi. Deri në minutën e 22-të ndeshja ishte e barabartë. Më pas ferizajaset nisën të shkëputen në rezultat dhe pjesën e parë e fituan me 12:9.

Në minutën e 44-t rezultati u barazua në 15:15, kurse më pas herë njëra e herë skuadra tjetër kaluan në epërsi prej një goli. Në minutën e 56-të rezultati ishte 22:20 për Ferizajn. Në minutën e 58-të vushtrriaset barazuan në 22:22 e më pas kaluan në epërsi 23:22 në minutën e 59-të. Por Ferizaj barazoi rezultatin në minutën e fundit me golin e shënuar nga A. Kelmendi.

Kështu fituesi u vendos me penallti. K. Avdiu humbi një penallti për Vushtrrinë, ndërsa A. Basha për Ferizajn. Në fund, portierja e Vushtrrisë, Njomza Kelmendi ndali edhe penalltinë e Sh. Fazlijës për t’ia siguruar Vushtrrisë kalimin në gjysmëfinale.

B. Rama e K. Avdiu shënuan nga 6 gola për Vushtrrinë. Te Ferizaj me efikasitet u dalluan M. Koneski me 6 gola dhe Sh. Fazlija me 5.

Ndeshja në mes të Istogut dhe Dritës është shtyrë dhe do të luhet të hënën.
Dy ndeshje tjera çerekfinale janë të enjten.

Vushtrria – Ferizaj 23:23 (9:12) (27:26 me penallti)

Vushtrria: Kelmendi, B. Gubetini, Vokshi, Avdiu 6, Rama 6, Zymeri 4, Preniqi 1, Paci 1, Ramabaja, Rrahmani, R. Gubetini, Selaci, Kasumi 3, Tërstena, Tahiri 2.

Ferizaj: Rogova, Basha 4, Salihu 2, Koneski 6, Sylejmani, Fazlija 5, Pjeshqiq, Reçica, Qerkini, Kelmendi 5, Misini, Domeneku 3, Gashi 1, Kupina.

Lajme tjera