Fitore bindëse për Besa Famgasin e Kastriotin

Nuk kanë ofruar shumë rivalitet dy ndeshjet e së dielës, që ishin të vlefshme për xhiron e 22-të të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt).
Kampionia aktuale, Besa Famgas e mposhti në Pejë skuadrën e Vushtrrisë me rezultat 38:21. Jon Vokshi u shqua te skuadra pejane me plot 14 gola. Arbios Mushkolaj i kishte gjashtë e Antonio Vozila pesë. Shtatë gola për Vushtrrinë i shënoi Fitim Klinaku. Nga katër i kishin Egzon Ademi e Amir Fazliu.
Besa është e dyta me 36 pikë. Vushtrria është e gjashta me shtatë pikë.
Ndërkohë Kastrioti ka mposhtur Trepçën në Mitrovicë me rezultat 50:28 dhe doli në pozitën e tretë me 28 pikë. Trepça mbetet me 26 pikë dhe ka rënë në pozitën e katërt. Skuadra mitrovicase e ka një ndeshje më pak të luajtur.
Trepça ka mbetur me fond të limituar lojtarësh dhe nuk ia doli të rivalizoi ferizajasit e mobilizuar.
Rron Ramadani i shënoi 11 gola për Kastriotin. Nga gjashtë i kishin Festim Mustafa, Marley Wallace e Deniz Terziqi. Yassine Henahen i shënoi tetë gola për mitrovicasit. Nga gjashtë i kishin Amar Mujka, Sali Maxhera e Shpëtim Mehmeti.

Lajme tjera