Federata e Hendbollit të Kosovës po vazhdon me angazhim maksimal për shkollim dhe avancim të kuadrove të hendbollit.
Kështu një sukses tjetër është arritur lidhur me gjyqtarët e hendbollit. Çifti Genc Bujupi e Getoar Bujupi janë ftuar nga Federata Evropiane e Hendbollit për të ndarë drejtësinë në Kampionatin e 10-të Evropian të Universiteteve.
Kampionati do të mbahet prej 4 deri më 10 korrik në Bydgoszcz të Polonisë. Për të ndarë drejtësinë në këtë kampionat të hendbollit, EHF-ja ka ftuar gjyqtarë nga Kroacia, Gjeorgjia, Letonia, Maqedonia e Veriut, Malta, Polonia, Portugalia, Rusia, Ukraina dhe natyrisht Kosova.
Genc e Getoar Bujupi aktualisht e kanë thirrjen gjyqtarë të rinjë të EHF-së, ndërsa janë kandidatë për thirrjen gjyqtarë të EHF-së. Kampionatin Evropian i Universiteteve do të shërbejë si test për të fituar thirrjen e gjyqtarëve të EHF-së, që do të hapte dyert evropiane për këta gjyqtarë perspektiv. Kosova tashmë i ka katër çifte të gjyqtarëve të EHF-së e poashtu dy delegatë të EHF-së.