Kombëtarja U21 e Kosovës në hendboll është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për paraqitje në garën e rëndësishme IHF Trophy Intercontinental. Ndeshjet e para të këtij kampionati që zhvillohet në Prishtinë, janë të mërkurën.
Në kuadër të grupit A, Kosova luan me Taipein Kinez, nga ora 15:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Të enjten është ndeshja Taipei Kinez – Nigeria (17:00), kurse të premten prej orës 19:00 luajnë Nigeria e Kosova. Në grupin B, të mërkurën është ndeshja SHBA – Australia (13:00), të enjten Australia – Paraguaji (15:00), kurse të premten Paraguaji – SHBA (15:00).
Në kombëtaren e Kosovës janë të vendosur për të shfrytëzuar mundësinë e madhe që e kanë para vetes. Fituesi i garës IHF Trophy Intercontinental në grupmoshën U21, kualifikohet për në botërorin e juniorëve që mbahet në verë në Spanjë. Shumë te Kosova pritet nga Drenit Tahirukaj, që kishte shënuar golin vendimtar në triumfin e Kosovës në IHF Trophy për Evropë, që poashtu ishte mbajtur në Prishtinë.
“Jam shumë i kënaqur me mënyrën si kanë shkuar përgatitjet deri më tani. Mendoj se jemi gati për këtë sfidë të madhe dhe të gjithë jemi të përqendruar në objektivin e vetëm, i cili është kualifikimi në botëror”, ka thënë Drenit Tahirukaj.
Kjo gjeneratë kishte pasur paraqitje të mira në vjeshtë në IHF Trophy për Evropë, për grupmoshën U20. Tani grupi është përforcuar me katër lojtarë që bëjnë karrierë në Evropë: Albin Xhafolli, Blendi Dalladaku, Adrian Halili e Rinor Avdulli.
“Jemi përshtatur shumë mirë dhe besoj që do të jenë një ndihmë e madhe për ekipin kombëtar. Kundërshtarët nuk i njohim shumë mirë, sepse nuk jemi takuar asnjëherë me ta, por jemi të përgatitur për të gjitha sfidat dhe do të japim maksimumin për të shkruar historinë”, ka theksuar Drenit Tahirukaj.
Kombëtarja U21 po punon nën urdhërat e trajnerit Fatmir Muhaxheri që ishte në krye të kësaj grupmoshe në triumfin e vjeshtës. Të shtunën e të dielen janë ndeshjet për plasma përfundimtar.