Istogu humb sërish, por mbahet shumë më mirë

KHF Istogu është përshëndetur nga garat evropiane të edicionit aktual 2018\19. Istogu është ndalur në një të tetën e finales të Kupës Sfiduese (Challenge Cup) nga skuadra spanjolle Rincon Fertilidad Malaga. Ndeshja e dytë e hendbollisteve istogase me Malagan është zhvilluar të dielen paradite në Alhaurin de la Torre të Spanjës. Në ndeshjen e dytë lojtaret e Istogut janë mbajtur shumë më mirë se në ndeshjen e parë të luajtur të shtunën në mbrëmje. Fitore shënoi Malaga me rezultat 21:13. Por rezultati është shumë më i ngushtë se i ndeshjes së parë (40:9), ndërsa paraqitja e Istogut ishte dukshëm më e mirë. Sidomos angazhimi i lojtareve të trajnerit Faruk Shala ishte në nivel dukshëm më të lartë. Edhe portieret janë shfaqur shumë më mirë, ndërsa deri pak minuta para fundit epërsia e spanjolleve ishte 4-5 gola. Te Istogu më efikasja ishte Elma Kameri me 8 gola.

Istogu në Spanjë është paraqitur me fond të limituar lojtaresh, për shkak se tri i janë lënduar e një ka ndërprerë karrierën. Po ashtu udhëtimi për në Spanjë ishte shumë i gjatë e me shumë pengesa dhe kjo bëri që lojtaret të ishin të lodhura, sidomos për ndeshjen e parë, ku edhe angazhimi nuk ishte ai i pritur. Edhe ndeshja e dytë është luajtur vetëm më flamur të EHF-së dhe të Kupës Sfiduese në palestër, që ishte kërkesë e Istogut, pasi spanjollët nuk lejuan flamurin e Kosovës, ndërsa kërkuan që flamuri i tyre të jetë në palestër. Edhe ky presion kishte ndikimin e vet.
Malaga në përbërje i ka plot shtatë lojtareve të vendeve tjera dhe cilësi e përvojë dukshëm më të madhe se Istogu.

Me eliminimin e Istogut është mbyllur edicioni evropian për skuadrat kosovare, me shpresë që edicionin tjetër do të bëhet edhe ndonjë hap para.

KHF Istogu – Rincon Fertilidad Malaga 13:21

Istogu: Ujkiq 1, Kameri 8, Shatri 2, Rrahmani, Rugova 1, Shehdadi, F. Rexhaj 1, Halitaj, D. Rexhaj, V. Rexhaj, Ahmetxhekaj, Ferataj, Berisha

Lajme tjera