Spanja ka fituar bindshëm ndaj Islandës në ndeshjen kryesore të ditës në kampionatin botëror për hendbollistë. Të dielen janë luajtur ndeshjet e dyta në grupet B e D të botërorit të 26-të që po zhvillohet në Gjermani e Danimarkë.
Kështu në grupin B, Spanja fitoi ndaj Islandës me rezultat 32:25. Pas pjesës së parë rezultati ishte 19:14 për spanjollët, që janë kampion aktual evropian. Ferran Sole realizoi pesë gola për Spanjën, kurse Olafur Gudmundsson i shënoi gjashtë gola për islandezët.
Për Spanjën ishte fitorja e dytë dhe ajo udhëheq në grup me katër pikë. Islanda pësoi humbjen e dytë. Nga katër pikë, përkatësisht nga dy fitore i kanë edhe Maqedonia e Kroacia. Maqedonia të dielen fitoi ndaj Bahrejnit (28:23) kurse Kroacia e mposhti Japoninë me 35:27.
Finalisti i “Euro 2018”, Suedia e fitoi ndeshjen e grupit D ndaj Argjentinës. 31:16 ishte rezultati i këtij takimi. Katari fitoi ndaj Egjiptit me rezultat 28:23, ndërsa Hungaria e mposhti Angolën me 34:24. Suedia është e vetmja me dy fitore në këtë grup. Udhëheq me katër pikë. Hungaria është e dyta me 3 pikë, ndërsa Katari e Angola i kanë nga dy pikë.
Të hënën luhen ndeshjet e treta në të gjitha katër grupet. Ndeshjet e grupit A janë: Serbia – Brazili (15:30), Rusia – Gjermania (18:00), Franca – Korea (20:30). Në grupin B janë këto ndeshje: Islanda – Bahrejni (15:30), Kroacia – Maqedonia (18:00), Spanja – Japonia (20:30). Në grupin C janë takimet: Tunizia – Kili (15:00), Norvegjia – Austria (17:30), Danimarka – Arabia Saudite (20:15). Hungaria – Katari (15:30), Argjentina – Egjipti (18:00), Suedia – Angola (20:30) janë ndeshjet e grupit D.
Foto by: Mrco Wolf