Në Francë është duke u mbajtur kampionatin evropian në hendboll (femrat) ku po paraqiten hendbollistet aktualisht më të mira në botë.
Të hënën u luajtën dy ndeshje të grupit I të raundit kryesor të garave. Hendbollistet e Rusisë fituan thellë ndaj Danimarkës me rezultat 32:21 dhe kështu u kualifikuan në gjysmëfinale. Rusia është bërë kombëtarja e parë që ka siguruar gjysmëfinalen. Rusia është kampione olimpike në fuqi, ndërsa ndaj Danimarkës ishte dominante. Anna Vyakhireva ishte lidere e Rusisë në fitoren e madhe në Nantes. Me fitore Rusia e ka siguruar edhe vendin e parë në grup. Vyakhireva ka shënuar nëntë gola dhe ka dhënë pesë asistime. Rusia për herë të parë do të luftojë për medalje evropiane që prej vitit 2008 kur fitoi të bronztën.
Kathrine Heindahl ishte më efikasja te Danimarka me katër gola. Danezet e humbën ndeshjen e tretë rresht dhe tani nuk kanë gjasa të kalojnë në gjysmëfinale.
Në ndeshjen tjetër të luajtur të hënën në mbrëmje në Nantes, Mali i Zi shënoi fitore të rëndësshme ndaj Serbisë me rezultat 28:27. Tani Mali i Zi është i treti në grup me 4 pikë, ndërsa Franca është e dyta me 5 pikë. Suedia renditet e katërta me 3 pikë, ndërsa Serbia e Danimarka janë në dy vendet e fundit në grupin I me nga 2 pikë dhe pa gjasa për gjysmëfinale. Rusia i ka 8 pikë në vend të parë.
Mali i Zi ishte në disavantazh 15:12 pas pjesës së parë, por u kthye fuqishëm në të dytën dhe arriti te fitorja. Mali i Zi, për të cilin luan edhe shqiptarja Dijana Ujkaj (Ujkiq) është në garë për gjysmëfinale. I duhet të fitojë ndaj Danimarkës të mërkurën dhe të shpresojë që Serbia të befasojë Francën.