Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Kombëtarja vendoset në Sllovaki, hendbollistet të gatshme për ndeshjet

Atmosferë shumë pozitive është te hendbollistet e kombëtares së Kosovës në prag të ndeshjeve kualifikuese për botëror. Kombëtarja jonë të enjten është vendosur në Galanta, në afërsi të qytetit Shala ku prej të premtes deri të dielen luhen ndeshjet e grupit të parë të fazës së parë kualifikuese për botërorin e vitit tjetër.

Kosova të premten (nesër) prej orës 15:30 luan ndaj Izraelit. Më pas kombëtarja jonë përballë i ka Ukrainën dhe Sllovakinë nikoqire. Ndeshja me Ukrainën luhet të shtunën prej orës 15:30 kurse ajo me Sllovakinë të dielen prej orës 18:00.

Shtabi teknik i përbërë nga selektori Agron Shabani dhe trajnerët Lulzim Nagavci e Valbona Rudaku kanë punuar për mbi një javë me hendbollistet në Prishtinë. Rastin për herë të parë e kanë fituar disa hendbolliste të reja, ndërsa disa lojtare të rëndësishme mungojnë për shkak të lëndimeve. Burneta Rama, Arlinda Krasniqi e Njomza Kelmendi janë të lënduara. Ndërsa Albana Arifi e Suzana Ujkiq nuk e kanë fituar ende të drejtën që të luajnë me Kosovën.

Por hendbollistet kanë premtuar se do të japin më të mirën e tyre për paraqitje të nivelit më të lartë. Sidomos ndeshja e parë me Izraelin është me shumë peshë. Kosova e ka mposhtur Izraelin me rezultat 32:25 më 11 qershor të vitit të kaluar në Prishtinë në fazën e parë kualifikuese për Euro 2018.

“Synimet më të mëdha i kemi për ndeshjen me Izraelin. Ndeshja me izraelitet është më e rëndësishmja për ne në këtë turne kualifikues. Ukraina e Sllovakia kanë lojtare me përvojë, lojtare cilësore dhe do të jetë vështirë. Por natyrisht angazhimi nuk do të mungojë. Do të luftojmë deri në fund në kërkim të rezultatit. Shpresojmë të startojmë mirë në ndeshjen e parë. Jemi pak të hendikepuar për shkak të lëndimeve që kanë pësuar shumë lojtare të rëndësishme tonat. Por me fondin që e kemi, që nuk është i plotë, do të japim më të mirën. Vajzat janë të vetëdijshme për peshën e fanellës së Kosovës dhe do të japin maksimumin”, ka theksuar selektori Agron Shabani pas arritjes në Sllovaki.