Kombëtarja U-18 e Kosovës në hendboll është paraqitur të hënën dukshëm më mirë se që ishte paraqitur të shtunën ndaj Sllovakisë, në kampionatin evropian, Divizioni B që po mbahet në Austri. Kombëtarja jonë të hënën në mesditë u përball me Letoninë ndaj të cilës e fitoi pjesën e parë me rezultatin 17:15. Por në pjesën e dytë djelmoshat tanë patën rënie në lojë dhe nuk ia dolën të mbajnë epërsinë deri në fund. Kështu takimin e fitoi Letonia me rezultatin 37:31.
Në përgjithësi ishte një paraqitje e djelmoshave tanë që duhet vlerësuar. Por në pjesën e dytë erdhi në shprehje përgatitja fizike. Edhe para evropianit është pritur që përgatitja fizike të jetë prej problemeve kryesore në Kombëtaren e Kosovës. Gjithsesi paraqitja në pjesën e parë dëshmon që në këtë grupmoshë ka brumë dhe se bëhet fjalë për lojtarë me të ardhme.
Te kombëtarja jonë më efikasi ishte Yll Muqolli me 12 gola. Dion Idrizi shënoi shtatë herë dhe u shpall lojtar i ndeshjes. Për kombëtaren tonë ishte humbja e tretë në po aq ndeshje të luajtura në kuadër të grupit B. Derisa në ndeshjen e parë ndaj Holandës, kombëtarja e Kosovës pati paraqitje solide duke pësuar me rezultat 31:25, ndaj Sllovakisë të shtunën kishte më shumë telashe dhe humbja ishte më e thellë (36:18). Të hënën kombëtarja përmirësoi dukshëm imazhin para ndeshjeve tjera që i luan në grupin B. Të martën (nesër) kombëtarja jonë luan ndaj Austrisë së favorizuar e më pas të enjten takohet me Bullgarinë ndaj të cilës e kërkon fitoren. Djelmoshat tanë i kanë më pas edhe dy ndeshje për plasman.
Letonia – Kosova 37:31 (15:17)
Kosova: Thaqi, Idrizi 7, Berisha, Maloku, Isufi 4, Qerimi, Neziri, Delija 1, Fana 2, Basholli 1, Hajdini, Selmani, Vokshi 3, Dukaj 1, Quni, Muqolli 12.