Kombëtarja U-18 e Kosovës në hendboll ka nisur me humbje paraqitjen në kampionatin evropian, Divizioni B. Të premten mbrëma në Tulln të Austrisë kombëtarja jonë humbi nga Holanda me rezultat 31:25. Pas pjesës së parë rezultati ishte 19:11 në të mirë të holandezëve.
Djelmoshat tanë patën një paraqitje solide ndaj holandezëve që kanë më shumë përvojë. Për kombëtaren tonë ishte vetëm ndeshja e tretë. Kjo gjeneratë me këtë përbërje ka luajtur vetëm edhe dy miqësoret ndaj Malit të Zi, në kuadër të përgatitjeve për këtë evropian. Për këtë arsye kishte pak skepticizëm lidhur me rezultatin në ndeshjen ndaj Holandës, por djelmoshat u angazhuan dhe rezultati është solid. Kombëtarja U-18 është ende në konsolidim e sipër dhe ky vlerësohet një fillim i mirë për këtë grupmoshë.
Te Kosova më efikasi ishte Yll Muqolli që realizoi plot 11 gola. Ai u shpall edhe lojtar i ndeshjes. Në kuadër të grupit B të evropianit të Divizionit B, të premten u luajtën edhe dy ndeshje tjera. Sllovakia e Letonia barazuan me rezultat 22:22 ndërsa Austria fitoi thellë, 39:13 ndaj Bullgarisë duke konfirmuar se ka synime të mëdha. Të shtunën (nesër) kombëtarja jonë luan ndaj Sllovakisë, prej orës 16:30.
Holanda – Kosova 31:25 (19:11)
Kosova: Gëzim Thaqi, Dion Idrizi 2, Arbër Berisha, Bledon Maloku, Adonis Isufi 3, Ylli Qerimi, Arbër Neziri, Milot Delija, Granit Fana, Drilon Basholli, Parim Hajdini, Agon Selmani, Elion Vokshi 4, Ermal Dukaj 2, Rikard Quni 3, Yll Muqolli 11.