E enjtja ishte një ditë shumë e mirë për hendbollin kosovar. Është kombëtarja U-20 që ka shkëlqyer në kampionatin evropian duke fituar thellë ndaj Bullgarisë. Hendbollistët kosovar në fakt e kanë demoluar Bullgarinë duke e mposhtur me plot 20 gola diferencë. 43:23 në të mirë të Kosovës ishte rezultati i ndeshjes së luajtur në Podgoricë të Malit tëZi ku po mbahet kampionati evropian (Divizioni B). Është kjo fitorja më e lartë e ndonjë ekipi kombëtar të Kosovës në kuadër të kampionateve evropiane.
Pas pjesës së parë rezultati ishte 20:14 në të mirë të kombëtares tonë, por djelmoshat tanë rritën diferencën dukshëm më tepër në pjesën e dytë. Çdo gjë funksionoi në lojën e Kosovës që në Podgoricë ka shkuar duke e ngritur formën vazhdimisht. Lojtarët tanë ia kanë dalur të shfaqin vlerat dhe të dëshmojnë se bëhet fjalë për një gjeneratë që premton shumë për të ardhmen. Me një lojë të diciplinuar dhe me angazhim të madh, Kosova U-20 arriti te fitorja e lartë.
Kështu Kosova zuri vendin e katërt në grupin A, duke lënë pas Moldavinë e Bullgarinë. Kosova ka shënuar fitore edhe ndaj Moldavisë, ndërsa ka pësuar nga Austria, Çekia e Holanda, por ka patur paraqitje të mira. Tani kombëtarja jonë luan për plasman përfundimtar, për pozitat prej pesë deri në tetë. Ballafaqohet me Turqinë, të shtunën nga ora 13:00.
Në ndeshjen e së enjtes djelmoshat tanë nga afër i përkrahi edhe ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Skender Durmishi.
Jon Muqolli shënoi 14 gola në këtë sfidë duke u konfirmuar si njëri prej lojtarëve më të mirë në Evropian. Por kontribut të madh dhanë edhe të gjithë lojtarët tjerë.
Kosova – Bullgaria 43:23 (20:14)
Kosova: Arti Luzha, Labinot Gubetini 2, Besian Abazi 2, Arben Dugolli 1, Drenit Tahirukaj 5, Lulzim Shabani 5, Etrit Hoxha 1, Adrian Halili 3, Festim Mustafa 1, Flakrim Beqiraj, Jon Muqolli 14, Elion Vokshi 4, Atdhe Basholli 3, Agon Bajqinovci 2, Bardh Berisha, Yll Muqolli.