Kombëtarja e Kosovës në hendboll e ka zhvilluar të mërkurën edhe ndeshjen e dytë miqësore-stërvitore ndaj Arabisë Saudite në Slloveni. Në mungesë të 15 lojtarëve të rregullt, kombëtarja jonë ka pësuar me rezultat 31:21. Pas pjesës së parë rezultati ishte 16:13 në të mirë të arabëve, që po përgatiten për kampionat botëror.
Kosova me Arabinë është takuar edhe të martën dhe poashtu ka pësuar humbje. Është vendosur që të luhen këto ndeshje për të testuar disa lojtarë të rinjë, ndonëse në shtabin teknik ishin të vetëdijshëm që koha është e papërshtatshme, lojtarët janë në pushim prej kohësh dhe se mungesa e lojtarëve kryesorë jep pak gjasa për rezultate të favorshme.
Më poshtë është deklarata e përzgjedhësit Taip Ramadani për ndeshjen e dytë:
“Loja e sotme nisi me një intensitet shumë më të lartë dhe kombëtarja jonë shfaqi vetëbesim më të madh se në ndeshjen e parë. Deri në minutën e 45-të avantazhi i arabëve ishte dy-tri gola, por nuk arritëm të afrohemi më shumë. Në këtë test ndërkombëtar patëm rastin për herë të parë të provojmë Dymal Kërnajën nga Gjermania, në rolin e qendrës. Me Dymalin kam pasur kontakt prej dy vitesh dhe vlerësova se këto dy ndeshje kontrolluese ishin rast i mirë për ta provuar si udhëheqës të sulmit. Sot vërejta integrim më të mirë në ekip, sidomos kombinimi i tij me Deniz Terziqin. Të dy ishin shumë efikas nga distanca dhe arsyeja kryesore që rezultati mbeti ngushtë për shumicën e kohës. Mirëpo sërish vuajtëm nga gabimet teknike duke shtuar shkeljet e përsëritura në vijë. Në 10 minutat e fundit ndjeva një lodhje të madhe te lojtarët dhe arabët na dënuan për këtë dobësi. Në përgjithësi besoj se ka qenë një përvojë pozitive për kombëtare dhe shpresoj në të ardhmen të kemi lojëra më të rregullta ndërkombëtare që të fitojmë më shumë përvojë dhe më shumë vetëbesim si ekip”.