Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Derbi i hendbollisteve luhet në Gjakovë

Shqiponja e pret Vushtrrinë në kryendeshjen e xhiros së 17-të të Superligës A të Kosovës për hendbolliste. Kjo ndeshje, që është me shumë peshë në garën për titull, luhet të shtunën (nesër) prej orës 16:00 në palestrën në Gjakovë. Vushtrria është e para në tabelë me 28 pikë nga 16 ndeshje, derisa Shqiponja i ka 26 pikë në vendin e dytë.

Ndeshja tjetër e Superligës A mes Istogut e Prishtinës zhvillohet të dielen prej orës 13:00. Kjo ndeshje zhvillohet poashtu në Gjakovë. Istogu është i treti me 23 pikë kurse Prishtina e katërta me 19 pikë.

Edhe në Superligën B të femrave është java e 17-të. Samadrexha e pret Kastriotin të shtunën nga ora 17:00 kurse Drita e Vëllaznimi përballen të dielen prej orës 13:00.

Në Ligën e Parë të femrave, në kuadër të javës së 16-të, të shtunën luhet ndeshja mes Vjosës e Jusuf Gërvallës. Ky takim nis në ora 13:00. Të dielen janë ndeshjet: Ulpiana – Deçani (12:00), Prizreni – Dukagjini (14:00), Llapusha – CLICK (11:00). Në kuadër të kësaj jave luhet edhe ndeshja KEK-u – Trepça.