Ndeshjen e tretë dhe të fundit në kuadër të kualifikimeve për botërorin e vitit 2019, përfaqësuesja jonë e luan ndaj Qipros, të dielen pasdite në Povoa de Varzim të Portugalisë. Derisa me Poloninë (të premten) dhe me Portugalinë (të shtunën) synimi është rezistimi deri në fund, ndaj Qipros synimi i përfaqësueses së Kosovës në hendboll është i qartë – fitorja. Vetëm fitorja vlerësohet e vlefshme në përballje me qipriotët, që është e fundit në kuadër të grupit të katërt të fazës së parë të kualifikimeve evropiane për botëror.
Qipro nuk ka ndonjë sukses në skenën ndërkombëtare. Nuk është paraqitur ndonjëherë në ngjarje të mëdha. Kosova qëndron më lartë se Qipro sa i takon sukseseve ndërkombëtare, falë dy vendeve të treta në kampionatet e IHF-së për vendet me hendboll në zhvillim (2015, 2017). Madje e treta në kampionatin e IHF-së për vendet me hendboll në zhvillim, që u mbajt vitin e kaluar në Bullgari, Kosova doli duke mposhtur pikërisht Qipron në ndeshjen e rëndësishme për medaljen e bronztë, që poashtu mundësoi kalimin në raundin e dytë të kualifikimeve për “Euro 2020”. Në raundin e parë biletën për kalim tutje nuk e kanë siguruar as Kosova e as Qipro, por Kosova kaloi tutje me mundësinë e dytë, përmes kampionatit të mbajtur në Bullgari.
Në ndeshjen për vend të tretë, më 18 qershor të vitit të kaluar në Veliko Tarnovo, Kosova fitoi ndaj Qipros me rezultatin e thellë, 32:25. Shumica e lojtarëve aktual të Kosovës u paraqitën në atë ndeshje, ndonëse kishte kufizim të moshës për atë garë. Më efikasi ishte Drenit Tahirukaj me tetë gola, kurse nga gjashtë herë realizuan Kastriot Jupa e Lindrit Fetahu.
Ai vend i katërt është suksesi më i madh i Qipros. Qipro ka përvojë të gjatë në skenën ndërkombëtare, por pa ndonjë sukses. Ka fituar një herë “Challenge Trophy” që ishte garë për përfaqësuese të vogla. E fitoi në vitin 1999, ndërsa në vitin 2001 ishte finaliste.