Suksesi i Kombëtares së Kosovës në hendboll në kualifikimet për “Euro 2022” , vazhdon të vlerësohet. Kosova ishte në garë deri në ndeshjen e fundit për kualifikim. U rendit e treta në grup, duke lënë prapa ish-kampionen e botës, Rumaninë.
Është Komiteti Olimpik i Kosovës që e ka përzgjedhur Kombëtaren tonë për grantin ekipor, në vlerë prej 60 deri në 80 mijë dollarë.
“Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës në mbledhjen e mbajtur mbrëmë ka përzgjedhur kombëtaren e cila do të mbështetet me grantin ekipor (Team Support Grant) nga Solidariteti Olimpik i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Granit do të ndahet për kombëtaren e hendbollit, konkurrenca e meshkujve. Vlera e përfitimit në total për katër vitet e ardhshme është 60 – 80 mijë dollarë. Hendbollistët tanë ishin pranë kualifikimit historik në Kampionatin Evropian 2022, duke përfunduar në vendin e tretë në grup. Kosova la pas Rumaninë të cilën e kishte mundur në Bukuresht dhe barazuan në Prishtinë. Këtë grant hendbolli e kishte fituar edhe në ciklin e kaluar olimpik, por me kombëtaren e femrave”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.
Rezultatet e sidomos paraqitjet e Kosovës në ciklin tashmë të përfunduar kualifikues, kanë marrë vlerësime të shumta. Ndër të tjera lartë jemi vlerësuar edhe nga Mali i Zi e Rumania, rivalët e grupit.
Për grantin e KOK-ut, por FHK-së me ekipe të ndryshme kombëtare kanë konkuruar edhe FBK-ja dhe FVK-ja.