Federata e Hendbollit e Kosovës është duke punuar vazhdimisht për të rritur konkurrencën në Kombëtaren e Kosovës, si parakusht për ngritjen e cilësisë. Për muajin dhjetor janë planifikuar dy miqësore, ndërsa ato do të shërbejnë për të provuar disa lojtarë të Superligës, që nuk e kanë pasur rastin deri më tani.
Por pos lojtarëve të klubeve vendore, në ndeshjet e dhjetorit do të testohen edhe dy lojtarë që kanë pretendime për të luajtur për Kosovën dhe që bëjnë karrierë në vende tjera.
Bëhet fjalë për alon Matej Taçi (Thaçi) që luan për Varazhdinin në Kroaci si dhe portierin Elvir Muqa Kuliq. Portieri Muqa ka qenë pjesë e skuadrës së njohur suedeze, Alingsas, ndërsa tani po luan në HK Torslanda Elite në Allsvenskan.
Taçi paraqitet në kampionatin kroat dhe po shquhet me lojëra të mira. Ndeshjet miqësore të dhjetorit do të jenë testuese për të dy. Ata kanë konfirmuar ardhjen dhe janë shumë entuziast për rastin e ofruar.