Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka humbur nga Belgjika në ndeshjen e fundit të eliminatoreve për Kampionatin Botëror të vitit 2023. Të shtunën mbrëma në Hasselt të Belgjikës, vendasit fituan me rezultat 33:29. Pas pjesës së parë rezultati ishte 18:12.
Në pjesën e parë pak gjëra funksionuan për ne, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Edhe fillimi i pjesës së dytë nuk ishte i mirë, por më pas nisëm kthimin gradual. Në minutën e 49-të u afruam në një gol (26:25), por dështuam në sulmin vijues për të barazuar rezultatin. Belgët shënuan për 27:25, kurse tri sulmet tona vijuese nuk ishin të suksesshme. Edhe pas 28:25 kishim dy goditje jo efikase dhe ndeshja faktikisht u mbyll.
Lojtarët tanë e kanë dhënë më të mirën, ndërsa në paraqitje ka ndikuar edhe mungesa e Egzon Gjukës dhe Shaban Zogajt. Të dy munguan për shkak të lëndimeve.
Kosova në këto eliminatore i ka mbledhur tri pikë dhe nuk avancon tutje. Kemi luajtur gjashtë ndeshje të forta në një grup plotësisht të barabartë. Përvoja e këtyre ndeshjeve do të na shërbejë shumë për ciklin e ardhshëm kualifikues, atë për Evropianin 2024.
Kosova: Agon Bajqinovci, Kastriot Jupa (2/5), Valon Dedaj (2/7), Drenit Tahirukaj (8/14), Arbios Mushkolaj, Luigj Quni (4/5), Festim Mustafa (0/1), Drilon Tahirukaj (6/8), Lulzim Shabani (3/3), Haris Berisha (4 pritje), Bujar Ramosaj (2/7), Jon Muqolli (2/3), Sali Maxhera, Egzon Gjuka, Liridon Zena (5 pritje)