Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Vushtrria fiton derbin me Prishtinën, Kastrioti merr pikë në Deçan

Vushtrria ka shënuar fitoren më të madhe në këtë edicion të Superligës së Kosovës në hendboll. Vushtrria ka fituar të shtunën mbrëma derbin e xhiros së 12-të ndaj Prishtinës, për të vazhduar serinë pozitive.
29:27 ishte rezultati i ndeshjes që u luajt para një numri të madh shikuesish në Vushtrri. Pjesa e parë u ka takuar mysafirve nga Prishtina që ishin thuajse tërë kohën në epërsi. Epërsia e Prishtinës shkoi deri në katër gola, 7:3, por Vushtrria u afrua gradualisht dhe ia doli të barazoi disa herë. Pas pjesës së parë rezultati ishte 15:14 për Prishtinën.
Pjesën e dytë më mirë e nisën vendasit që shpejtë kaluan në avantazh 19:16. Më pas epërsia e vushtrriasve në disa raste ishte katër gola, kursePrishtina ia doli vetëm të afrohet në një gol. Në fund rezultati ishte 29:27 për vendasit.
Egzon Vuçitërna shkëlqeu te Vushtrria me shtatë gola. Nga gjashtë i kishin Bozhidar Nikoçeviq dhe Nemanja Drakuloviq, kurse 5 i realizoi Felippe Teixeira. Ndeshje të madhe pati edhe portieri i Vushtrrisë.
Te Prishtina më efikasi ishte Oltion Beshiri me 7 gola. Gjashtë i kishte Sergio Barreto, kurse nga katër i shënuan Agon Bajqinovci e Hamdi Salihu.
Dramatike ishte edhe ndeshja tjetër e së shtunës, mes Deçanit dhe Kastriotit. Dhe ajo nuk dha fitues. Përfundoi 19:19.
Pas epërsisë 3:0 të Deçanit, Kastrioti barazoi në 3:3. Sërish vendasit kishin më shumë nga loja, ndërsa në fund të pjesës së parë mysafirët dolën një gol para. Në pjesën e dytë u luajt për secilin gol. Në minutën e 52-të, Deçani kaloi dy gola para 19:17. Por më pas Kastrioti shënoi dy gola për ta fituar pikën. Ndeshja përfundoi 19:19.
Fatlind Mazrekaj dhe Matheus Henrique i shënuan nga 4 gola për Deçanin. Nga 3 i shënuan Gent Bajrami, Felipe Porto e Alex De Abreu Santos.
Festim Mustafa i shënoi 10 gola për Kastriotin. 5 i kishte Besnik Bytyqi, duke përfshirë golin e fundit dhe Jeton Bislimi shënoi tri herë.