Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Ramosaj: Të luftojmë për njëri-tjetrin, të luftojmë për Kosovën

Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar të premten mbrëma stërvitjen e fundit para udhëtimit për në Bosnjë-Hercegovinë. Udhëtimi është planifikuar për të shtunën në mëngjes, ndërsa të dielën prej orës 17:00 në Tuzlla është ndeshja Bosnjë-Hercegovina – Kosova. Ndeshja i takon kualifikimeve për Euro 2024.
Bosnja triumfoi të mërkurën në Prishtinë me rezultat 25:22. Në Kombëtare është punuar për të lënë prapa atë humbje dhe që të reagohet në mënyrën e duhur në ndeshjen e vështirë në udhëtim.
Sipas Bujar Ramosajt, liderit të mbrojtjes sonë, reagimi i duhur është të luftohet maksimalisht për njëri-tjetrin e mbi të gjitha për ngjyrat e shtetit. Ramosaj shquhet vazhdimisht për luftën e madhe dhe të pakompromis në mbrojtje. Kështu ishte edhe të mërkurën mbrëma.
“Kemi punuar që ta lëmë prapa atë humbje. Po konsolidohemi dhe udhëtojmë me besim për në Bosnjë, ndonëse e dimë që na pret tjetër ndeshje e vështirë. Por në këtë fazë garash nuk ka ndeshje të lehta. Ka disa vjet që përballemi me top-kombëtare evropiane dhe e dimë që asnjëherë nuk është lehtë. Nuk do të jetë as të dielën. E rëndësishme është të luftojmë dhe të angazhohemi deri në fund. Nëse luftojmë për njëri-tjetrin e mbi të gjitha për shtetin tonë, atëherë mund ta mbajmë kokën lartë, pavarësisht rezultatit. Por përfundimisht me luftë maksimale sportive, rezultati pozitiv është i mundshëm. Këtë na e dëshmon e kaluara. Unë kam besim të plotë në bashkëlojtarë se do të vazhdojnë të japin maksimumin”, ka thënë Ramosaj para nisjes për në Tuzlla të Bosnjë-Hercegovinës.