Të mërkurën janë zhvilluar ndeshjet çerekfinale të Kupës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Në gjysmëfinale kanë kaluar skuadrat favorite.
Fitoren më të ngushtë e shënoi fituesi në fuqi i Kupës, Istogu. Skuadra istogase fitoi 27:24 ndaj Kastriotit në Ferizaj.
Në pjesën e parë hendbollistet ferizajase nuk lejuan shkëputjen e Istogut në më shumë se dy gola, ndërsa në fillim ishin në epërsi të lehtë. Në minutën e 41-të, Istogu kaloi në epërsi 22:17. Më pas Istogu ishte në epërsi 26:21, ndërsa Kastrioti ia doli të afrohet në dy gola, 26:24. Në fund, Istogu shënoi për 27:24.
Tainara Luna Goncalves udhëhoqi Istogun me nëntë gola. Arlinda Dinarica e Yllka Shatri i shënuan nga katër gola.
Puhiza Gashi i shënoi tetë gola për Kastriotin, ndërsa Luljeta Sopjani i shënoi katër gola sa i kishte edhe Vahide Gashi.
Vushtrria fitoi bindshëm, 38:22 ndaj Shqiponjës në Gjakovë.
Po në Gjakovë, Ferizaj e mposhti Vëllaznimin me rezultat 34:18. Si mysafire fitoi edhe Prishtina. Ajo e mposhti në Deçan skuadrën Jusuf Gërvalla me rezultat 39:28.