Besa Famgas ka vazhduar me fitore në Superligën A të Kosovës në hendboll. Të shtunën në kuadër të xhiros së 23-të, skuadra pejane fitoi në udhëtim ndaj Rahovecit me rezultat 34:25.
Fillimi i ndeshjes ishte i barabartë, kurse Besa Famgas shkëputjen e nisi pas minutës së 20-të. Ndërkohë në pjesën e dytë mbajti vazhdimisht epërsi të lartë, për të fituar bindshëm në fund.
Jon Vokshi i shënoi shtatë gola për Besën, ndërsa nga gjashtë i kishin Egzon Gjuka e Amar Korkariq.
Te Rahoveci më efikasi ishte Marley Wallace me gjashtë gola. Katër i shënoi Alban Haziri.
Besa forcohet në vendin e parë, ndërsa Rahoveci duhet ta vazhdojë luftën për kualifikim në plejof.