Kombëtarja e Kosovës në hendboll (femrat) e ka përfunduar të mërkurën mbrëma rrugëtimin në kualifikimet për Kampionatin Botëror të këtij viti. Në një ambient të bukur sportiv, Kombëtarja jonë pësoi nga Polonia me rezultat 32:20. Ndeshja u luajt në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Polonia e kishte fituar edhe ndeshjen e parë dhe u kualifikua në Botëror.
Ndërkohë vajzat tona fituan përvojë të jashtëzakonshme në ndeshjet me Kombëtaren e nivelit të lartë evropian.
Ndeshja nisi keq për Kombëtaren tonë, që pësoi pesë gola të shpejtë. Më pas erdhi reagimi, ndërsa epërsia u zvogëlua gradualisht. Angazhimi ishte shembullor, ndërsa aksionet ishin të rrjedhshme dhe mbrojtja ishte e fortë. Kombëtarja jonë u afrua në dy gola, 12:10. Pas pjesës së parë Polonia ishte para me rezultat 17:12.
Në pjesën e dytë energjia nuk ishte e njëjtë, ndërsa kishte dështime nga pozita të volitshme, kryesisht për meritë të portiereve polake. Më pas erdhi në shprehje edhe përvoja dhe numri i madh i lojtareve cilësore të Polonisë, që në fund fitoi me rezultat 32:20.
Vajzat meritojnë respekt dhe falënderime për angazhimin maksimal dhe përkushtimin për të dhënë më të mirën për ngjyrat e shtetit.
Më efikasja ishte kapitenja Leonora Demaj me shtatë gola. Gjashtë i kishte Marigona Hajdari, ndërsa katër gola i shënoi Mirela Gjikokaj.
Tani në radhë janë kualifikimet për Evropian, në të cilat synohet hapi i madh para.