Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Agron Shabani: Jemi në grup shumë të vështirë

Selektori i Kombëtares së Kosovës në hendboll (vajzat), Agron Shabani, ka analizuar grupin e kualifikimeve për Euro 2024. Kombëtarja jonë është në një grup shumë sfidues, me Danimarkën e Poloninë. Danimarka është prej Kombëtareve më të mëdha në botë, ndërsa Polonia po ashtu ka nivel të lartë.
“Na pret një sfidë e madhe duke pasur parasysh kualitetin e dy ekipeve. Me polaket kishim dy ndeshje kualifikuese. Në momente treguam lojë shumë të mirë dhe ishim kundërshtarë të denjë për Poloninë. Megjithatë pësuam dy humbje me rezultat të thellë, që mund të them nuk ishte real. Kemi nevojë që në disa pozita të forcohemi me lojtare, që të rritim kualitetin dhe konkurrencën. Danimarka është fuqi botërore që ka lojtaret që luajnë në ekipet më të mira evropiane. Në çdo ngjarje të madhe Danimarka kërkon titullin e kampionit. Danimarka është favorit i padiskutueshëm”, ka thënë Shabani.
Ai ka refuzuar të dorëzohet, përkundër grupit shumë të fortë.
“Ne nuk dorëzohemi, ndonëse do të jetë shumë vështirë. Do të mundohemi të nxjerrim maksimumin në këto ndeshje kualifikuese. Do të mobilizohemi edhe më shumë që ta prezantojmë shtetin sa më mirë. Edhe kualiteti i vajzave tona po rritet. Tashmë i kemi katër lojtare që luajnë në ligat më të forta në botë, Mirela Gjikokajn në Norvegji dhe Leonora Demajn, Marigona Hajdarin e Arlinda Hajdarin në Danimarkë. Na pret punë e madhe. Duhet të punojë për të mbuluar zbraztirat dhe të përgatitemi sa më mirë”, ka theksuar Shabani