Sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Federatës së Hendbollit të Kosovës. Nën udhëheqjen e presidentit Eugen Saraçini, bordi diskutoi dhe vendosi për çështje të rëndësishme në prag të edicionit të ri garues.
Është vendosur që Superliga e hendbollistëve në edicionin 2023/2024 të ketë tetë skuadra. Drita e Gjilanit dhe Llapi kanë hequr dorë nga paraqitja në Superligë dhe do të garojnë në Ligën e Parë. Gara do të zhvillohet në sistem të katërfishtë e më pas plejofi.
Në Superligën e hendbollisteve numri i skuadrave dhe sistemi garues nuk ka ndryshuar nga edicioni i kaluar.
Është vendosur që shorti për edicionin e ri të tërhiqet të mërkurën prej orës 15:00 në lokalet e Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Ndërkohë kampionati i ri në të dy konkurrencat fillon më 16 shtator.
Një javë para fillimit të kampionatit zhvillohet Superkupa e Kosovës në hendboll.
Bordi po ashtu vendosi që skuadrat që garojnë në Evropë të përkrahen me nga 1000 euro shtesë përveç shumës së caktuar nga mbledhja e fundit.