Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Ferizaj pëson për dy gola, rastin e kërkon të dielën

Ferizaj ka luajtur ndeshje shumë të fortë me izraelitet e Maccabi Arazim Ramat gan. Megjithatë disa vendime jo të duhura në minutat e fundit i kushtuan me humbje.
Të shtunën mbrëma në palestrën “Bill Clinton”, Ferizaj pësoi me rezultat 26:24. Ishte ndeshja e parë e raundit të dytë të Kupës Evropiane. Ndeshja e dytë është të dielën nga ora 19:00 po në Ferizaj.
Me disa vendime e veprime më të matura, Ferizaj do ta fitonte ndeshjen e së shtunës. Pesë minuta para fundit, Ferizaj ishte duke udhëhequr 24:22. Por më pas pranoi katër gola dhe nuk shënoi asnjë për të humbur me dy gola dallim. Për më tepër në minutën e fundit humbi penallti me të cilën do ta ngushtonte rezultatin në 26:25.
Në përgjithësi ishte një paraqitje shumë pozitive e hendbollisteve ferizajase. Ndeshja ishte shumë e fortë, ndërsa u zhvillua luftë e madhe për çdo top. Ndeshja ishte e barabartë nga fillimi e deri në fund dhe kjo jep shpresë për ndeshjen e së dielës.
Portierja Kaba Teninke ka shkëlqyer te Ferizaj duke realizuar plot 17 pritje.
6 gola nga 10 tentime i kishte Amanda Lemos Andrade. 5 gola nga 8 tentime i realizoi Amanda Stein, ndërsa 4 gola nga 5 tentime i kishte Simone Keita, që bëri luftë të fortë me lojtaret e skuadrës izraelite gjatë gjithë ndeshjes. Katër gola nga shtatë tentime i kishte Lorena Matarova.