Të dielën janë luajtur ndeshjet e para në ligën e juniorëve (U20) të Kosovës në hendboll.
Në Ferizaj, u luajtën ndeshjet e xhiros së parë të Grupit A. Fillimisht Kastrioti e mposhti Vushtrrinë me rezultatin 32:20. Edonis Saiti ishte më efikasi te ferizajasit me tetë gola. Oltion Shabani e Muhamed Halili i shënuan nga shtatë gola për Vushtrrinë.
Në ndeshjen e dytë të Grupit A, Llapi e Trepça kishin “betejë” të vërtetë sportive. Pas pjesës së parë Llapi ishte në avantazh 16:15. Në pjesën e dytë mitrovicasit shfaqën më shumë dhe fituan 35:33. Alban Mahmuti i shënoi 11 gola për Trepçën, ndërsa dhjetë i kishte Eris Beqiri. Te Llapi, Edi Lushaku i shënoi dhjetë gola, ndërsa tetë i kishte Durim Talla.
Në kuadër të Grupit B, Deçani e Vjosa u përballën në Shtime. Deçani fitoi me rezultat 43:18. Ardrin Dobraj i shënoi 11 gola për Deçanin, ndërsa nëntë i kishte Bilall Mazrekaj. 11 gola për Vjosën i shënoi Ridon Rama.