Hendbollistet e Kombëtares së Kosovës e kanë fituar ndeshjen e parë të fazës së parë kualifikuese për Botërorin 2025.
Të premten mbrëma në Hasselt të Belgjikës, Kombëtarja jonë fitoi ndaj Belgjikës me rezultat 32:28.
Hendbollistet tona dominuan sidomos në pjesën e parë, që përfundoi 19:12. Në pjesën e dytë belget u afruan, por pa rrezikuar fitoren e Kosovës.
Të shtunën nga ora 18:00, Kosova luan ndaj Bosnjë-Hercegovinës. Me fitore kualifikohemi në plejofin e kualifikimeve për Kampionat Botëror.
Kapitenja Leonora Demaj i shënoi 9 gola nga 15 tentime për Kosovën. Marigona Hajdari i shënoi 8 gola nga 11 tentime, ndërsa Fitore Aliu i shënoi 8 gola nga 10 tentime. Kontribut dhanë edhe të gjitha lojtaret e tjera.