Kombëtarja e Kosovës në hendboll (vajzat) ka arritur sukses të rëndësishëm në Hasselt të Belgjikës.
Të shtunën, vajzat tona fituan ndaj Bosnjë-Hercegovinës me rezultat 32:26 dhe u kualifikuan në fazën e dytë të kualifikimeve për Botëror.
Të premten Kombëtarja jonë fitoi 32:28 ndaj Belgjikës dhe me fitoren ndaj Bosnjë-Hercegovinës siguroi vendin e parë në grup dhe kalimin tutje.
Ndaj Bosnjës, vajzat tona kanë luajtur njërën prej ndeshjeve më të mira. Në epërsi ishin nga fillimi e deri në fund.
Sulmi ka funksionuar sipas planit, ndërsa në mbrojtje Kombëtarja jonë ishte e pakompromis në secilin top. Dhe kjo solli fitoren bindëse.
Kapitenja Leonora Demaj ishte e shkëlqyer me plot 13 gola nga 15 tentime. Marigona Hajdari organizoi lojën shkëlqyeshëm dhe i shënoi 6 gola nga 8 tentime. Nga 4 gola i shënuan Albina Rugova e Fitore Aliu.
Aurora Kryeziu i bëri 11 pritje.
Kontribut të madh, sidomos në mbrojtje dhanë edhe Arlinda Hajdari, Dafina Mustafa e Mirjeta Bytyqi.
Të gjitha lojtaret e fituan rastin dhe kontribuuan në suksesin e madh.