Kombëtarja e Kosovës në hendboll e luan të dielën mbrëma ndeshjen e dytë në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për Euro 2026. Nga ora 17:15 në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, hendbollistët e Kombëtares sonë luajnë ndaj Holandës.
Holanda është favorite e grupit të gjashtë dhe rrjedhimisht kombëtares sonë i duhet përkrahje e madhe nga tifozët.
Të enjten Holanda fitoi me shumë vështirësi ndaj Ukrainës, me rezultat 40:39. Ndërkohë të mërkurën Kombëtarja jonë humbi 32:21 nga Ishujt Faroe në Torshavn.
Të enjten Kombëtarja është kthyer në Prishtinë, ndërsa të premten e të shtunën ka pasur program të ngjeshur me stërvitje në mënyrë që në ndeshjen me Holandën të jetë në nivelin më të mirë të mundshëm.
Te lojtarët dhe te shtabi teknik ka përkushtim për të dhënë më të mirën, në tentim për të fituar dy pikët e para në kualifikimet e rregullta për Evropianin e ardhshëm. Kombëtarja është e kompletuar dhe të gjithë lojtarët e përzgjedhur nga selektori Bujar Qerimi janë të gatshëm për të dhënë maksimumin.