Besa Famgas e ka shënuar fitoren e shtatë në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Të shtunën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Besa e mposhti Prishtinën me rezultat 43:34.
Ishte kjo ndeshja e parë e xhiros së nëntë të elitës kosovare të hendbollit.
Besa ishte vazhdimisht në epërsi, por Prishtina nuk ka lejuar shkëputjen e ekipit vendas në 20 minutat e parë. Më pas Besa u shkëput 15:11, por Prishtina barazoi në 15:15. Pasoi seri 7:0 e pejanëve për 22:15. Prishtina më pas nuk ia doli të afrohet në rezultat.
Agon Bajqinovci e Olsi Mulaj i shënuan nga tetë gola për Besën. Nga shtatë i kishin Edonis Hajra e Amar Muqolli.
13 gola për Prishtinën i shënoi Oltion Beshiri. Gjashtë i kishte Ylli Visoka e nga pesë Albi Gjuka e Erion Bajramaj.
Besa tani i ka 14 pikë dhe mban vendin e parë. Prishtina është e katërta me 10 pikë. Tri ndeshjet tjera janë të dielën.