Selektori i Kosovës në hendboll (femrat), Agron Shabani, pranon se kundërshtari i raundit të dytë kualifikues për Kampionatin Botëror 2025 është i nivelit më të lartë.
Por Shabani ka premtuar angazhim maksimal dhe përkushtim deri në fund në mënyrë që Kosova të prezantohet me dinjitet.
Shorti i tërhequr të dielën në Vjenë ka përcaktuar që Kombëtarja jonë të përballet me Suedinë. Ndeshjet janë në prillin e vitit të ardhshëm.
Suedia ishte kundërshtari më i fortë i mundshëm në short.
“Na mungoi fati. Do ta kemi përballë një kundërshtar që është në radhën e ekipeve më të forta evropiane. Vazhdimisht po e kalojmë fazën e parë, kurse nuk po kemi fat me kundërshtarin direkt për kualifikim. I gjithë ekipi do të mundohemi që me dinjitet të prezantojmë shtetin tonë. Do të japim maksimumi, ndonëse përballë do ta kemi një kundërshtar shumë të fortë. Si Kombëtare do të vazhdojmë zhvillimin. Nuk dorëzohemi, vazhdojmë drejt qëllimeve që i kemi për rritje të vazhdueshme. Janë sfida që do t’u qasemi me synim për të dhënë maksimumin dhe për të kërkuar rezultatin maksimal të mundshëm”, ka theksuar selektori Shabani.