Projekti i përbashkët i Federatës së Hendbollit të Zvicrës dhe Federatës së Hendbollit të Kosovës, “Handball verbindet uns – Hendbolli na bashkon”, ka pasur nismë shumë të suksesshme.
Federata zvicerane gjatë nëntorit mbajti stërvitje të hapura me fëmijë në Luzern, St. Gallen dhe Aarau, si pjesë e kësaj iniciative. Synimi i projektit “Hendbolli na bashkon” është që sa më shumë fëmijë shqiptarë që jetojnë në Zvicër, të përfshihen në hendboll.
Në stërvitjet e muajit të kaluar morën pjesë 100 fëmijë shqiptarë që mbetën të entuziazmuar.
Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini e vlerëson iniciativën si dëshmi që sporti bashkon njerëzit. Presidenti Saraçini pret që ndikimi i projektit të jetë i madh dhe që gjithnjë e më shumë fëmijë shqiptarë që rriten në Zvicër të përfshihen në hendboll.
Si pjesë e bashkëpunimit tashmë shembullor me federatën zvicerane, Kombëtarja A e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve, në fillim të janarit do të paraqitet në turneun prestigjioz “Yellow Cup” që mbahet në Winterthur.
Një aktivitet tjetër parashikohet më 4 janar, kur është ndeshja mes Zvicrës dhe Kosovës. Në kuadër të projektit “Hendbolli na bashkon”, fëmijët prej 6 deri në 12 vjet mund të marrin në aktivitetin “Tako yjet”.
Më 3 janar Kosova luan ndaj Holandës, më 4 janar ndaj Zvicrës e më 5 janar ndaj Italisë. Të tri këto kombëtare janë pjesë e Botërorit 2025 që zhvillohet prej 14 janarit deri më 2 shkurt.
Photo credits: Handball.ch