Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Çdo gjë gati për IHF Trophy, nesër ndeshjet e para

Federata e Hendbollit e Kosovës i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e IHF Trophy për zonën evropiane për hendbollistët e grupmoshës U18 dhe U20.

Ndeshjet e para në program janë të martën, ndërsa e gjithë ngjarja do të mbahet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Te të rinjtë (U18), shtatë ekipet kombëtare pjesëmarrëse janë të ndara në dy grupe. Në grupin A janë Gjeorgjia, Britania e Madhe, Qipro dhe Shqipëria. Në grupin B garojnë Bullgaria, Kosova dhe Moldavia.

Ndeshja e parë është mes Gjeorgjisë dhe Qipros, që zhvillohet të martën prej orës 11:00. Nga ora 13:00 takohen Britania e Madhe dhe Shqipëria, ndërsa prej orës 17:00 është takimi Kosova – Moldavia. Para kësaj ndeshjeje, nga ora 16:45, është hapja zyrtare e kampionatit.

Në grupmoshën e juniorëve (U20), të gjitha katër kombëtaret pjesëmarrëse janë në një grup: Bullgaria, Qipro, Britania e Madhe, Kosova.

Të martën prej orës 15:00 është ndeshja Bullgaria – Britania e Madhe, ndërsa prej orës 19:00 takohen Qipro e Kosova.

Ngjarja është kualifikuese për Kampionat Botëror. Në të dy grupmoshat, fituesit kualifikohen për fazën ndërkontinentale të IHF Trophy. Dhe më pas kombëtaret që triumfojnë në fazën ndërkontinentale, kualifikohen në Kampionatin Botëror.