Pas ndeshjeve të ekipeve kombëtare, vazhdon gara në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Të mërkurën e të enjten në program janë ndeshjet e xhiros së 22-të.
Të mërkurën janë ndeshjet Vushtrria – Trepça dhe Prishtina – Llapi. Në Vushtrri, takimi fillon në ora 20:00, ndërsa në kryeqytet ndeshja luhet prej orës 18:30.
Ndërkohë të enjten është derbi i madh mes Rahovecit dhe Besa Famgasit. Kjo ndeshje luhet prej orës 20:00.
Derisa Rahoveci kishte shumë lojtarë të angazhuar në Kombëtaren A të Kosovës, lojtarët e Besa Famgas përbëjnë boshtin e Kosovës U18, që siguroi kualifikimin në Botëror. Amar Muqolli u shpall më i miri në IHF Trophy Intercontinental për grupmoshën U18, ndërsa Olsi Mulaj e Olt Kabashi zunë vend në shtatëshen më të mirë.
Rahoveci i ka fituar 20 ndeshjet e deritashme dhe udhëheq në tabelë me 40 pikë. Besa Famgas është e dyta me 32 pikë.