Të dielën janë luajtur dy ndeshjet e fundit të stinorit të rregullt në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Në kuadër të xhiros së 18-të, në Gjakovë u përballën Shqiponja e Kastrioti. Ndeshja përfundoi 31:31. Alma Nivokazi i shënoi 11 gola për Shqiponjën, gjashtë prej tyre nga penalltia. Shtatë gola i kishte Orgesa Gola. Bintou Oulare ishte më efikasja te Kastrioti me nëntë gola. Gjashtë i shtoi Ermira Saliu.
Shqiponja përfundoi e katërta me 19 pikë dhe do të luajë në plejof. Do të përballet me Istogun në gjysmëfinale. Kastrioti përfundoi i gjashti me 15 pikë.
Po të dielën, Ferizaj fitoi 40:32 ndaj Terezës. Shkurte Mehmeti i shënoi nëntë gola për Ferizajn, derisa tetë i kishte Salemateu Camara. Kaltrina Paci i shënoi 11 gola për Terezën, ndërsa Eduarta Kurteshi tetë.
Ferizaj renditet i dyti me 26 pikë dhe në gjysmëfinale të plejofit përballet me Samadrexhën. Tereza përfundoi kampionatin në vendin e tetë me shtatë pikë. Mbetet në Superligë edhe për edicionin e ardhshëm garues.