Italia është kundërshtarja e parë e Kosovës në fazën e parë të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2021. Italia e Kosova përballen të premten nga ora 20:00 në palestrën “Pala Tedeschi” në Benevento të Italisë. Në grupin e tretë bëjnë pjesë edhe Rumania e Gjeorgjia që takohen të premten nga ora 18:00.
Italia në përbërje ka vëllezërit nga Kosova, Ardian e Endrit Iballi. Njëjtë si Kosova, Italia e synon vendin e parë në grup për të kaluar tutje, ndërsa llogarit shumë në përkrahjen e shikuesve.
Italia vetëm një herë është paraqitur në Botëror, në vitin 1997. Ishte renditur e 18-ta. Në Evropian ka garuar po ashtu vetëm një herë, në vitin 1998 dhe u rendit në vend të 11-të.
Ka suksese në Lojërat Mesdhetare. Në kualifikimet për Botërorin e kaluar ishte ndalur në raundin e parë kualifikues. Kishte përfunduar e dyta në grup, pas Rumanisë, duke mos avancuar tutje.
Edhe në vitin 2018 e kishte organizuar turneun kualifikues, në Bolzano. “Synojmë të kualifikohemi. E dimë që është vështirë, por luajmë në Itali dhe kjo shpresojmë që do të na jap më shumë entuziazëm dhe forcë”, ka thënë Ardian Iballi, një prej lojtarëve kryesorë të Italisë.
Italia ka synimet e saj, por edhe ne i kemi synimet tona, të hapin garën kualifikuese me fitore.
(Në foto, moment nga ndeshja miqësore e Kosovës me Kuvajtin)