Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Fillim i suksesshëm i Elma Kamerit në Belgjikë

Reprezentuesja e Kosovës në hendboll, Elma Kameri, karrierën po e vazhdon në Belgjikë, te skuadra DHW united Antwerpen. Kameri te Antwerpeni kaloi nga Istogu, të cilën skuadër e udhëhoqi drejt titullit të kampionit dhe dy Kupave të Kosovës.

Kameri ishte hendbollistja më e mirë në Kosovë në vitet e kaluara, kurse edhe në Belgjikë ka filluar me sukses. Ka debutuar të shtunën në një ndeshje të fituar me rezultat bindës, 36:17.

“Ekipi më ka pritur shumë mirë. Kam gjetur një mjedis ku besoj se do të përparojë edhe më shumë. Ende po komponohem në skuadër, por fillimi duket premtues. Me skuadrën jam bashkuar para një jave, ndërsa të shtunën e kisha lojën e parë. Ia dola të shënojë pesë gola, por me rëndësi skuadra fitoi sfidën. Si ndeshje e parë ishte mirë, por më pret shumë punë. Është vend i ri, kampionat i ri, skuadër e re. Por jam e gatshme për të dëshmuar cilësitë që kam dhe për të ndihmuar skuadrën”, ka thënë Elma Kameri.

Ajo i ka munguar Kosovës në dy ndeshjet e fundit, por pret të kthehet shumë shpejtë në ekipin kombëtar. “Që nga ndeshja e ardhshme do të jem në kombëtare për të dhënë kontributin tim”, ka shtuar Elma.