Franca ka fituar kampionatin botëror të juniorëve në hendboll. Të dielen në finale, Franca fitoi ndaj Kroacisë me rezultat 28:23. Finalja u luajt në Vigo në një atmosferë të bukur sportive.
Ky botëror është historik për vendin tonë. Për herë të parë një ekip kombëtar i Kosovës në sportet ekipore mori pjesë në ngjarjen më të madhe. Kombëtarja jonë paraqitjen më të mirë e kishte në ndeshjen e parë, ndaj finalistit, Kroacisë.
Ndonëse humbi, u mbajt në lojë deri në fund dhe paraqitja e kombëtares tonë u vlerësua nga IHF-ja si impresive. Më pas erdhën humbjet nga Hungaria, Portugalia dhe Brazili, kurse me Bahrejnin u fitua pika e parë. Për plasman pësuam nga Argjentina dhe në fund mposhtëm bindshëm Australinë.
Vendi i tretë në botëror i takoi Egjiptit që mposhti Portugalinë me rezultat 37:27. Pra dy kundërshtarë shkuan deri në gjysmëfinale që dëshmon se në çfarë grupi të fortë ishim.
Kroati Ivan Martinoviq u shpall MVP i kampionatit.
Me pjesëmarrje në botëror hendbolli edhe një herë ka shkruar historinë e sportit kosovar. Tani shikojmë para për sfida të reja, suksese të reja e më të mëdha.