Ndonëse e ka filluar fuqishëm ndeshjen, Kombëtarja U19 e hendbollisteve e ka humbur ndeshjen e parë në kuadër të kampionatit evropian, Divizioni B që të hënën filloi në Lituani.
Në Klaipeda, Kosova U19 humbi nga Turqia me rezultat 28:24. Pjesa e parë përfundoi me rezultat të barabartë, 16:16, ndonëse kombëtarja jonë vazhdimisht ishte në epërsi. Madje në fillim rezultati ishte 4:0 në të mirë të kombëtares tonë, kurse në minutën e 12-të rezultati ishte 8:4 në të mirë të vajzave tona.
Në pjesën e dytë loja e Kosovës ra ndjeshëm, edhe për shkak të lëndimit të disa lojtareve. Në fillim të pjesës së dytë lojtaret e Turqisë krijuan epërsi që shkoi deri në gjashtë gola (23:17). Vajzat tona nuk u dorëzuan, ngushtuan rezultatin deri në dy gola (24:22, 25:23), por nuk mundën të bëjnë më shumë. Në fund Turqia fitoi me rezultat 28:24.
Paraqitja e Kombëtares tonë në pjesën e parë jep shpresë për rezultate të mira na vazhdim të kampionatit, por poashtu është dëshmi që kjo gjeneratë ka të ardhme.
Kosova U19 të martën luan me Çekinë.
Turqia – Kosova 28:24 (16:16)
Kosova: Leonita Gashi, Elisa Mulaj 3, Zade Zymberi, Melisa Mulaj 2, Edona Radoniqi, Gresa Gashi, Rina Rexhepi 4, Veronika Kastrati 5, Lorena Matarova, Rinera Uka, Sara Rexhepi 9, Vlera Kelmendi 1, Alberina Halitaj, Drilona Rexhaj.