Selektori Agron Shabani është optimist për ndeshjet me Poloninë, që janë vendimtare për kualifikim në Kampionatin Botëror. Hendbollistet e Kombëtares së Kosovës luajnë në prill të vitit të ardhshëm dy ndeshje me Poloninë. Ndeshja e parë është në Poloni, ndërsa e kthimit në Kosovës.
Kombëtarja që është më e suksesshme pas dy ndeshjeve, kualifikohet në Botëror. Kosova për herë të parë paraqitet në fazën e dytë kualifikuese për Botëror. Shorti është tërhequr të shtunën (sot).
“Short jo i lehtë. Ishim pak pa fat. Por nëse kemi kualitet, që unë mendoj se kemi, dhe duam të shkojmë në Botëror, atëherë duhet të përballojmë secilin kundërshtar. E dimë shumë mirë se kemi të bëjmë me një Kombëtare me kualitet të lartë. Polonia ka lojtare në klube me renome në Evropë. Ne si Kombëtare jemi në rritje dhe këtë e dëshmon suksesi ndaj Ishujve Faroe. Jemi të gatshëm për çdo sfidë. Nuk na tremb Polonia, duke i ditur kualitetet e lojtareve tona. Kur jemi të kompletuar, vërtetë kemi cilësi”, ka thënë Shabani.
Polonia paraqitet rregullisht në ngjarjet e mëdha dhe natyrisht është favorite përballë Kosovës. Favorit ishin edhe Ishujt Faroe.
“Një është e sigurt që nuk do të dorëzohemi lehtë ndaj Polonisë. Pozitive është që lojën e parë e luajmë si mysafir dhe në të dytën jemi vendas. Kemi punë me kundërshtar të fortë, por nuk dihet kurrë. Nuk do të dorëzohemi. Vajzat janë të motivuara dhe të gatshme si asnjëherë më parë për këto sfida”, ka shtuar selektori Shabani.