Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Albana Arifi e entuziazmuar që fiton të drejtën të luaj me Kosovën

Në foto shihet hendbollistja Albana Arifi.

Më 16 korrik, Albana Arifi e fiton zyrtarisht të drejtën që të luajë për Kombëtaren e Kosovës në hendboll. Arifi tri vite më parë ka luajtur për Suedinë në kampionatin botëror U20, ndërsa për të ndërruar ekipin kombëtar në hendboll duhet të kalojë periudhë trivjeçare. Ylli i hendbollit shprehet e entuziazmuar që më në fund po e fiton të drejtën e paraqitjes në ndeshje zyrtare me Kosovën.

Me Albanën në përbërje, por edhe me rritjene lojtareve tjera dhe ardhjet e fundit, Kosova do të ngritet në nivel dukshëm më të lartë. Albana ka pushuar vetëm pesë ditë pas përfundimit të edicionit në Suedi dhe tashmë po punon intenzivisht që të jetë maksimalisht e gatshme për ndeshjet e Kosovës.

Kombëtarja e Kosovës në hendboll për femra ndeshjet e rradhës i luan në fund të shtatorit, por Albana ka nisur punën me synim që në shtator të jetë plotësisht e gatshme.

Albana në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës kishte marrë vendimin që të luajë për Kosovën. Me kombëtaren tonë është paraqitur në një miqësore në Luksemburg, ku shkëlqeu duke shënuar 14 gola. Poashtu ka stërvitur me vajzat tjera të Kosovës, por deri më tani nuk e kishte të drejtën e ndeshjeve zyrtare me kombëtaren tonë.

“Po ndjehem shumë mirë që kjo periudhë e gjatë e pritjes po përfundon. Kanë qenë muaj shumë të gjatë dhe mezi po pres që të fillojë të luajë me Kosovën. Sukseset që kam pasur me Suedinë janë të rëndësishme, por për mua shumë herë më e rëndësishme është që do të jam në gjendje të jap kontributin tim në atë që po e ndërtojmë në Kosovë. Ka vlerë shumë të madhe për mua kjo dhe po ndjehem shumë mirë për këtë”, ka thënë Albana Arifi.

Ajo tashmë njeh vajzat e kombëtares, ndërsa është e bindur që sukseset nuk do të mungojnë. Albana beson që edhe përkrahja e shikuesve do të jetë e madhe, ndërsa është e vetëdijshme që për këtë kërkohen edhe suksese.

“Kemi një grup shumë të mirë të vajzave dhe besoj se do të kemi suksese. Unë në çdo ndeshje luaj vetëm për fitore. Mbi këtë parim funksionoi dhe kështu do të jetë edhe te Kosova. Në secilën ndeshje do të luajmë vetëm për fitore. Pavarësisht kush do të jetë kundërshtari, për mua nuk do të mjaftoi që vetëm të kemi paraqitje të dinjitetshme. Duhet të kërkojmë fitore, të luftojmë deri në fund për fitore”, ka deklaruar Albana, që me grupmoshat e reja të Suedisë është paraqitur në kampionatet më të mëdha dhe ka suksese kulminante.

22-vjeçarja është në hendboll afro 16 vite dhe përvojën e fituar tani do ta vë në shërbim të Kosovës.

“Vetëm pesë ditë kam pushuar pas përfundimit të kampionatit në Suedi. Po ndjehem shumë mirë që po e fitoj të drejtën që të luajë për ekipin e vendit tim dhe dua që në ndeshjet e para zyrtare të jam maksimalisht e përgatitur. Aktualisht jam për pushime në Kosovë dhe po e shfrytëzoj kohën për të stërvitur nga dy herë në ditë. Një herë po stërvitem në sallën e fitnesit e një herë vrapoj në natyrë”, ka treguar majtakja.

Afro tri vite më parë ajo i ishte nënshtruar një operimi të gjurit, pasi kishte luajtur gjatë e lënduar. Faza e rikuperimit ishte e suksesshme dhe në edicionin e fundit Albana e ka gjetur formën gradualisht. Ajo beson që në kampionatin e ri do të paraqitet edhe më mirë për skuadrën Lugi, ndërsa paraqitjet me Kosovën është e bindur se do ta ndihmojnë shumë.

Në fazën e dytë të kualifikimeve për “Euro 2020”, Kosova është në grup me Gjermaninë, Slloveninë e Bjellorusinë. Më 26 shtator luhet ndeshja Sllovenia – Kosova, ndërsa më 29 shtator është ndeshja Kosova – Gjermania.