Atmosferë e shkëlqyer në Kombëtare, lojtarët gati për ndeshjen me Bosnjë-Hercegovinën

Atmosfera në Kombëtaren e Kosovës në hendboll është e shkëlqyer. Lojtarët e Kombëtares sonë janë plotësisht gati për ndeshjen me Bosnjë-Hercegovinën, që luhet të mërkurën prej orës 20.15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Ndeshja me Bosnjën vlerësohet vendimtare në kualifikimet për Euro 2024. Synimi është i qartë – fitorja. Me fitore, Kombëtarja jonë futet fuqishëm në garë për kualifikim historik në Kampionatin Evropian.
Lojtarët e përzgjedhur nga Bujar Qerimi kanë pasur përgatitje disaditore dhe plotësisht të gatshëm e presin ndeshjen. Shpresohet në përkrahje të madhe nga shikuesit, për të rritur gjasat për sukses.

Bujar Qerimi
“Forma e ekipit është e mirë, por kemi dëshirë dhe kërkojmë që te kemi sa më shumë publikë për të na ndihmuar sepse kjo ndeshje e ka rëndësinë e madhe. Me ndihmën e publikut do të jemi më të fortë dhe motivuar për këtë ndeshje, pasi angazhimi nuk do të mungojë por ndihma nga tribunat është më se e nevojshme. Ekipi është jashtëzakonisht mirë, lojtarët kanë ardhur me dëshirë të madhe për dy ndeshjet me Bosnjën dhe synimet janë t’i fitojmë ato. Pra, kjo është e pakontestueshme por ky është sport dhe do të shohim fillimisht se çka do të ndodh të ndeshjen e parë. E kemi analizuar mirë Bosnjën edhe pse ka bërë ndryshime të mëdha në ekip prej dy ndeshjeve të kaluara, ku ka marrë më shumë lojtarë të kampionatit vendor, por e njohim kampionatin e tyre, ku jemi të informuar dhe e dimë çka na pret. Duhet ta shfrytëzojmë përparësinë e mungesave të Bosnja, por ne nuk duhet të bazohemi në këtë pasi duhet të luajmë mirë dhe të fitojmë. Pra, pres angazhim maksimal dhe fitore, e cila është e pakontestueshme nga ana jonë”.

Kastriot Jupa
“Jemi të kompletuar si ekip dhe entuziazmi është i madh pasi e dimë rëndësinë e kësaj ndeshje. Po ashtu, e kemi parasysh se Bosnja është nivel i yni dhe kemi gjasa të mëdha për fitore. Besoj që si ekip jemi mjaft të pjekur për të ëndërruar për një evropian për shkak se e kemi nivelin të përballemi me këto skuadra dhe besoj se do te kemi sukses. Bosnjën e kemi analizuar mirë dhe besoj në fitore. Presim përkrahje të madhe prej publikut, pasi gjithmonë si vendas kemi luajtur mirë. Jemi mobilizuar mirë në të gjitha aspektet dhe sigurisht që të gjithë besojmë në fitore”.

Haris Berisha
“Përgatitjet kanë shkuar sipas planit dhe do të përpiqemi të tregojmë një lojë cilësore kundër Bosnjës, lojë të pjekur për shkak se kemi përvojë për t’u rezistuar skuadrave të mëdha. Pa marrë parasysh mungesat e Bosnjës, ajo ka treguar se është skuadër serioze dhe shumë e fortë. Por me cilësinë që kemi ne si ekip jam i bindur se do t’ia dalim mbanë. Synimi mbetet vendi i tretë në grup për t’u kualifikuar dhe gjasat i kemi shumë të mira për ta arritur një gjë të tillë”.

Lajme tjera