Austria me mund të madh mposhtë Kosovën

Hendbollistët e Kombëtares U-20 të Kosovës të mërkurën e kanë luajtur ndeshjen e katërt në kuadër të kampionatit evropian që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi. Përballë Kosovës ishte Austria, njëra prej kombëtareve më cilësore në Grupin A. Austria fitoi me rezultat 24:18, por paraqitja e djelmoshave të Fatmir Muhaxherit  është për t’u vlerësuar. Rezultati ka mundur të jetë edhe më i ngushtë sikur të shmangeshin disa gabime në pasim dhe të bëhej një përzgjedhje më e mirë e pozitave për të gjuajtur në drejtim të portës. Por në përgjithësi kombëtarja jonë pati një paraqitje të mirë, duke iu kundërvënë në shumicën e kohës me sukses lojtarëve austriakë, që kanë pretendime për të fituar evropianin e Divizionit B.

Pas pjesës së parë rezultat ishte 14:9 në të mirë të Austrisë dhe një diferencë e afërt e golave u mbajt deri në fund të sfidës.

Tërë ndeshja u përshkrua me një lojë të nivelizuar me një epërsi të lehtë të austriakëve, por hendbollistët tanë nuk mundën të bënin edhe një hap drejt barazimit. Austriakëve iu duhej fitorja e lartë dhe shikuesit e ekspertët prisnin disfatë të thellë të Kosovës. Mirëpo të gjithë u befasuan me lojën cilësore të Kosovës që ishte afër barazimit, por që i mungoi edhe fati në disa situata.

Për Austrinë ishte fitorja e tretë, krahas një barazimi. Ndërkohë Kosova pësoi humbjen e tretë. Ka pësuar edhe nga Holanda e Çekia, ndërsa ka fituar ndaj Moldavisë. Por paraqitja e Kosovës ka shkuar duke u përmirësuar vazhdimisht dhe për këtë shpresat janë të mëdha për sukses të ri ndaj Bullgarisë, të enjten (nesër). Më pas kombëtarja jonë luan edhe për plasman përfundimtar.

Jon Muqolli me gjashtë gola ishte më efikasi te Kosova. Drenit Tahrukaj realizoi katër herë.

Austria – Kosova 24:18 (14:9)

Kosova: Arti Luzha, Labinot Gubetini 2, Besian Abazi, Arben Dugolli, Drenit Tahirukaj 4, Lulzim Shabani 1, Etrit Hoxha, Adrian Halili 1, Festim Mustafa 1, Flakrim Beqiraj, Jon Muqolli 6, Elion Vokshi 1, Atdhe Basholli 1, Agon Bajqinovci 1, Bardh Berisha, Yll Muqolli.

Lajme tjera