Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka arritur një rezultat historik të mërkurën mbrëma. Kombëtarja jonë ka barazuar 23:23 me Rumaninë, në xhiron e tretë të raundit të dytë kualifikues për “Euro 2022”.
Falë lojës me zemër dhe angazhimit maksimal, djemtë tanë morën barazimin e shumëdëshiruar, ndërsa me pak më tepër fat do të mund të fitonin ndeshjen. Në fund kemi humbur disa raste të mira dhe rezultati mbeti 23:23.
Në pjesën e parë Kombëtarja jonë e udhëhequr nga Bujar Qerimi për herë të parë, është fokusuar për të forcuar mbrojtjen. Në shumë raste ia ka dalë, por ka pasur edhe situata që nuk janë menaxhuar si duhet. Ndërkohë në sulm ka pasur lëshime, por edhe gola të bukur. Rumunët ofruan më shumë në pjesën e parë, të cilën e fituan 14:9.
Krejt ndryshe ishte në pjesën e dytë. Djemtë tanë forcuan mbrojtjen edhe më tej, luftuan për çdo top dhe ishin të pakalueshëm. E prirë nga Haris Berisha në portë dhe Bujar Ramosaj dhe të tjerët, mbrojtja funksionoi për mrekulli, ndërsa edhe në sulm gjërat funksionin. Pas tri barazimeve, arritëm edhe epërsinë e parë, ndërsa lëshuam rast të artë për të kaluar me dy gola në avantazh. Në fund u desh të mbrohemi për barazimin më se të merituar që shumë leht ka mundur të jetë fitore.
Kontribut për barazimin e madh dhanë të gjithë lojtarët, ndërsa Bujar Qerimi debutoi me sukses të plotë në postin e selektorit.
Kosova – Rumania 23:23 (9:14)
Kosova: Kastriot Jupa 2, Valon Dedaj 4, Drenit Tahirukaj 3, Deniz Terziqi 5, Luigj Quni, Festim Mustafa, Drilon Tahirukaj 3, Lulzim Shabani 2, Haris Berisha, Bujar Ramosaj, Jon Muqolli, Leonard Gegaj, Rron Ramadani, Egzon Gjuka 4, Liridon Zena, Armend Alaj