Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Barazojnë Prishtina e Tereza, fitojnë pikët e para

Prishtina e Tereza i kanë fituar pikët e para në edicionin 2024/2025 në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të hendbollisteve.

Të mërkurën mbrëma në Bardhosh, Prishtina e Tereza luajtën baras, 27:27. Ndeshja i takoi xhiros së shtatë të elitës kosovare të hendbollit.

Në pjesën e parë, ekipi mysafir, Tereza, u shkëput deri në gjashtë gola. 11:5 ishte rezultati në minutën e 16-të. Prishtina ia doli të barazojë në 19:19 në minutën e 38-të. Sërish Tereza u shkëput, deri në katër gola. 26:22 ishte rezultati në minutën e 55-të.

Diarta Shala (2), Fionë Krasniqi (2) e Nurije Qekaj shënuan pesë gola rresht për epërsinë 27:26 në të mirë të Prishtinës. Në minutën e fundit shënoi Ardiana Prapashtica e Terezës për rezultatin përfundimtar, 27:27.

Eduarta Kurteshi e Angelika Luberecka i shënuan nga gjashtë gola për Prishtinën. Nga pesë i kishin Diarta Shala e Ermira Berisha. Arjeta Imeraj i shënoi nëntë gola për Terezën, ndërsa gjashtë i kishte Ardiana Prapashtica.

Tereza e Prishtina mbesin në dy pozitat e fundit në tabelë me nga një pikë.