Bashkim Gashi ftohet në kombëtare për ndeshjet me Izraelin

Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës në hendboll, Taip Ramadani është duke bërë gati listën e lojtarëve që do t’i ftojë për ndeshjet ndaj Izraelit. Në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për evropianin e vitit 2020, Kosova e pret Izraelin më 10 prill, kurse me izraelitët kombëtarja jonë luan edhe më 14 prill në Tel Aviv. Janë këto ndeshje të grupit të parë ku bëjnë pjesë edhe Gjermania e Polonia.

Duke u bazuar edhe në faktin që lojtarët e deritashëm të kombëtares jo të gjithë po kalojnë ditët më të mira nëpër klubet e tyre, selektori Ramadani do të freskojë ekipin kombëtar me emra të rinjë. Kështu konkurrenca për pozitën e alos së majtë do të rritet me ardhjen e Bashkim Gashit, që bënë karrierë në Suedi te skuadra LIF Lindesberg, te kjo skuadër paraqitet edhe pivoti Fatlum Ahmeti. 25-vjeçari Gashi është prej lojtarëve kryesor në skuadrën e tij dhe do të jetë në kombëtaren tonë për ndeshjet ndaj Izraelit.

Dhe marrë për bazë rrethanat, selektori Ramadani ka vendosur të ftojë Bashkim Gashin, sikur edhe Dymal Kernajën por ky i fundit ka probleme me dokumente, kurse Gashi posedon shtetësinë e Kosovës.  Ndërsa Besard Hakaj edhe përkundër interesimit ende nuk ka vendosur përfundimisht se a do ti bashkohet Kombëtares së Kosovës.  

Duhet theksuar se selektori Taip Ramadani për ndeshjet me Izraelin nuk mund të llogaritë në lojtarët e U21 (Tahirukaj, Muqolli, Xhafolli…) te cilët në të njëjtën kohë luajnë IHF Trophy Intercontinental në Prishtinë.

Lajme tjera