Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Besa Famgas fiton superndeshjen në “Karagaçi”, kalon në finale

Flakrim Beqiraj priti penallti në sekondat e fundit për të ndihmuar Besa Famgasin që të kualifikohet në finale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll.
Të mërkurën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë, në ambient të bukur sportiv dhe para një numri të madh shikuesish, Besa Famgas e mposhti Kastriotin me rezultat 34:33.
Me rezultatin e përgjithshëm prej 2:1 në fitore, Besa e Pejës kualifikohet në finale të plejofit. Do të përballet me Rahovecin.
Ashtu si pritej, gjysmëfinalja e tretë mes Besës e Kastriotit ishte dramë e vërtetë. Pak sekonda para fundit, Rron Ramadani i Kastriotit u pengua palejueshëm. Gjyqtarët dhanë penallti, ndërsa përgjegjësinë për ta gjuajtur atë e mori Deniz Terziqi. Gjuajtjen e tij e priti Beqiraj dhe kështu rezultati mbeti 34:33 për ekipin pejan.
Sulmin e fundit të Kastriotit e mundësoi pritja e Liridon Esatit në anën tjetër të fushës.
Pas fillimit të barabartë të ndeshjes, pjesa e parë i takoi Kastriotit. Ferizajasit u shkëputën deri në gjashtë gola, 16:10. Pas pjesës së parë rezultati ishte 18:15 në të mirë të Kastriotit.
Vendësit u kthyen gradualisht në pjesën e dytë. Në 23:23 barazuan në minutën e 40-të. Më pas u zhvillua ndeshje shumë e fortë. Kastrioti sërish u shkëput në dy gola, e madje edhe në tri, 27:24. Besa barazoi në 28:28 e në epërsi prej 29:28 doli në minutën e 49-të. Më pas Besa kishte avantazh prej dy golash, 30:28 e po ashtu prej tri golash, 34:31. Por drama nuk mbaroi deri në fund. Kastrioti kishte rastin për të barazuar, por i mungoi fati.
Arbios Mushkolaj i kishte tetë gola për Besën (8/11). Gjashtë (6/6) i realizoi Antonio Vozila e katër Nikola Prce (4/5), sa i kishin edhe Igor Chiesliov (4/9) e Olsi Mulaj (4/8). Nga tri gola i kishin Ardit Tafilaj (3/4) e Marin Mariq (3/8). Dy gola nga dy tentime i kishte Jon Vokshi.
Terziqi ishte më efikasi te Kastrioti me nëntë gola (9/16). Nga shtatë i shënuan Marley Wallace (7/10) e Lulzim Shabani (7/12). Gjashtëgola nga tetë tentime i kishin Alecssander Santos. Dy gola nga katër tentime i kishte Rron Ramadani, ndërsa nga një gol e shtuan Hamdi Salihu e Vlerson Zherka.
Portierët edhe një herë e kishin fjalën kryesore. Beqiraj i Besa Famgas i kishte 11 pritje. Esati i Kastriotit po ashtu i kishte 11 pritje.
Gjysmëfinalja e zjarrtë i lë vend finales së parë në Rahovec, që është të shtunën mbrëma.

Lajme tjera