Kampionia e Kosovës në hendboll, Besa Famgas, ka shënuar fitore të rëndësishme të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Besa e ka mposhtur Borcin e Banjallukës me rezultat 29:22 dhe kështu ka avancuar në raundin e tretë të Kupës Evropiane.
Ndeshjen e parë të luajtur në Banjallukë, Borci e kishte fituar me tri gola. Por e përkrahur nga tifozët, Besa të dielën ishte e pandalshme. Lufta për çdo top, angazhimi maksimal dhe cilësia e shfaqur, sollën fitoren e rëndësishme. Pas pjesës së parë rezultati ishte 18:14 për Besën. Në pjesën e dytë epërsia ishte vazhdimisht 6-7 gola, ndërsa në fund rezultati ishte 29:22.
Besa tani është në raundin e tretë të Kupës Evropiane, ndërsa fitorja ndaj Borcit do të shërbejë si motivim për suksese të reja. Te Besa Famgas u dallua Mursel Mehmeti me 11 pritje. Egzon Gjuka shënoi 7 gola, ndërsa 6 i kishte Nikolla Prce. Nga 4 gola i realizuan Deniz Terziqi e Kastriot Jupa. Por suksesi është i përbashkët i të gjithë lojtarëve, shtabit teknik, drejtuesve dhe i tifozëve që shfaqën sjellje shembullore.